Koleksione Historike

Pavarësia

28 Nëntor 1912, 469 vjet pas ngritjes së flamurit të Kastriotëve në Krujë, në një nëntor të dytë u ngrit Flamuri i Pavarësisë në Vlorë. Me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, u krijua shteti i parë i pavarur shqiptar.

 

Krahas institucioneve të tjera, më 4 Dhjetor 1912, vetëm gjashtë ditë pas Shpalljes së Pavarësisë, u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, me ministër, gjeneral brigade Mehmet Pashë Deralla.

4 Maj 1913, Qeveria e Përkohshme e Vlorës miratoi formimin e Shtabit Madhor, një organizëm i mirëfilltë ushtarak i drejtuar nga major Ali Shefqet Shkupi.

Në gjysmën e dytë të vitit 1913, Shtabi Madhor, sipas planit të miratuar nga Ministria e Luftës, organizoi një ushtri me tiparet e një ushtrie të rregullt. Për herë të parë në shtetin shqiptar u zbatua ligji ushtarak i rekrutimit, në të cilin theksohej se “Detyrimin ushtarak do ta kryente çdo mashkull i aftë fizikisht, nga mosha 20 deri në 40 vjeç". Pjesë e rëndësishme e organizimit ushtarak, ishin Forcat Vullnetare Popullore. Ato ishin armatosur dhe ngritur vetë, në mbështetje dhe në mbrojtje të qeverisë dhe të shtetit të pavarur shqiptar.

Risi ishte edhe organizimi i Forcave Rezerviste dhe i Forcave Aktive.

Qeveria e Vlorës filloi të merrte masa edhe për uniformat dhe armatosjen e ushtrisë, duke porositur në Itali veshjet dhe në Austri armë të rënda si mitralozë, topa dhe municione. Në vazhdim, u ngritën shërbimi i prapavijës, i mobilizimit dhe zbulimi informativ. Në total numri i përgjithshëm i ushtrisë arriti deri në 12.000 forca.

Në këtë pjesë të muzeut që ka të bëjë me Lidhjen e Prizrenit dhe Pavarësinë janë ekspozuar modelet e para të pushkëve me shul, revolverët, ku do të veçonim revolverin austriak gasser, modelin e të cilit e ka përdorur dhe Isa Boletini. 

Lidhja e Prizrenit

Lidhja shqiptare e Prizrenit u formua në 10 Qershor 1878.

Akti më i rëndësishëm i Lidhjes së Prizrenit ishte themelimi i një organizate me karakter politik dhe ushtarak me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë në të gjitha krahinat, e cila do të merrte përsipër detyrën për të mbrojtur interesat e vendit. Lidhja e Prizrenit nuk arriti të ngrinte një ushtri të rregullt, prandaj forcat vullnetare morën tiparet e forcave të rregullta luftarake me një numër prej 25.000 trupash, sipas parimit një burrë për shtëpi. Mobilizimi përfshinte të gjithë meshkujt prej 15 deri në 70 vjeç.

Në urdhëresën ushtarake të Lidhjes së Prizrenit, përcaktohej se e gjithë fuqia e armatosur do të ndahej në pesë korpuse.
U bënë planet për të organizuar Korpusin e Kosovës me 70.000 luftëtarë dhe atë të Shkodrës me 60.000, me vullnetarë nga Tirana, Elbasani, Ohri, Dibra dhe Mati.

Korpusi ishte i organizuar në brigada këmbësorie; brigadat në regjimente dhe çdo regjiment kishte katër batalione këmbësorie. Batalioni përbëhej nga katër toga këmbësorie dhe një togë kavalerie. Ushtria e bashkuar duhej të kishte 380 batalione në veri dhe 100 batalione në jug të Shqipërisë. Gjithashtu, u krijua grupi logjistik që përbëhej nga struktura mjekësore, transporti dhe skuadrat e ruajtjes. Edhe pse Porta e Lartë e shtypi Lidhjen e Prizrenit, ajo hodhi themelet për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, i cili u konkretizua tre dekada më vonë.

Gjatë ekzistencës së saj, Lidhja e Prizrenit zhvilloi një seri betejash të rëndësishme, kundër Malit të Zi dhe Portës së Lartë, për të kundërshtuar vendimet e Kongresit të Berlinit.