Koleksione Historike

Pashallëqet

Në gjysmën e dytë të shek. XVIII, feudalët shqiptarë mundën të krijojnë dy pashallëqe të mëdha: Pashallëkun e Shkodrës dhe Pashallëkun e Janinës.

Në konceptin bazë strategjik e ushtarak të tyre ishte organizimi i një ushtrie të madhe dhe të përgatitur. Ushtritë e pashallëqeve përbëheshin nga forcat tokësore dhe ato detare. Në të dy pashallëqet, komponenti tokësor, që luante rolin kryesor, përbëhej nga Këmbësoria, Kavaleria dhe Artileria, ndërsa komponenti Detar ishte më i zhvilluar në Pashallëkun e Janinës.

Numri i forcave për çdo pashallëk në kohë paqeje nuk e kaloi kufirin e 20.000 luftëtarëve. Forcat pësonin një rritje të shpejtë gjatë mobilizimeve në kohë lufte. Në Pashallëkun e Janinës ky numër arriti 40.000 ushtarë, ndërsa në Pashallëkun e Shkodrës në 60.000 ushtarë.

Lidhur me furnizimin e ushtrive me armatim dhe me mjete e pajisje të tjera teknike, u bënë përpjekje nga të dyja palët, si nga Ali pashë Tepelena, ashtu edhe nga Kara Mahmud pashë Bushati. Nga Evropa u blenë sasi të mëdha pushkësh, koburesh, topash dhe u morën mjaft municione. Të dy pashallëqet mundën të zhvillojnë zejtarinë, duke përfshirë edhe prodhimin e barutit dhe armëve të zjarrit.

Përpjekjet e drejtuesve të pashallëqeve për shkëputjen nga Perandoria Osmane dështuan, sepse, pavarësisht se elementi kryesor ishte ai shqiptar, asnjëherë nuk menduan që të krijonin një Shqipëri të pavarur. Koncepti komb - shtet ende nuk ekzistonte, mendimi politik shqiptar nuk ishte formuar dhe ushtria bazohej në parimet e mercenarizmit dhe jo të krenarisë kombëtare.

Për periudhën e pashallëqeve janë të ekspozuara 15 armë me strall të prodhuara nga armëtarët shqiptarë si pushka e famshme karajfile dhe kobure.