Koleksione Historike

Princ Vidi

Me ardhjen në Shqipëri, më 17 mars të vitit 1914, Princ Vidi shpalli krijimin e qeverisë me qendër në Durrës. Sipas Statutit Organik të Shqipërisë, që përmbante vendimet kryesore të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, forcat ushtarake të vendit ishin Xhandarmëria dhe Milicia. Organizimi ushtarak, kishte filluar më herët me ardhjen e oficerëve holandezë në nëntor 1913, të drejtuar nga koloneli Tomson, i cili kishte mundur të formonte katër detashmente me nga 300 vetë në Shqipërinë Jugore, por në kohën e Qeverisë së Vidit organizimi ushtarak, mori trajta konkrete.

Organizimi dhe shtrirja e Xhandarmërisë në një kohë të shkurtër në shumë prefektura bëri të mundur që Xhandarmëria të luante një rol të dyfishtë, atë të mbrojtjes dhe të ruajtjes së qetësisë. Nga prilli i vitit 1914, Xhandarmëria u përforcua me kontingjente vullnetare që vinin nga anë të ndryshme të Shqipërisë. Në mbrojtje të Prefekturës së Korçës që kërcënohej nga andartët grekë, u dërgua një batalion prej 300 vetash dhe pas lirimit të Korçës, në Shqipërinë Juglindore u organizua një forcë e vogël ushtarake ku u thirrën dhe u mobilizuan meshkuj të moshës nga 20 në 40 vjeç.

Armatimi i forcave shqiptare përbëhej kryesisht nga pushkët, disa mitraloza dhe bateria e artilerisë malore. Pas largimit të Princ Vidit, si pasojë e fillimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u bë arenë e përballjeve të forcave ndërluftuese dhe nuk mund të flitej për organizim ushtarak. Vetëm në vitin 1916, në Krahinën Autonome të Korçës, u arrit të krijohej një regjiment shqiptar prej 1.000 vetash me oficerë shqiptarë, nën komandën e përgjithshme të një majori francez. Krahas këtyre forcave në atë zonë vepruan dhe çetat e Sali Butkës.

 

Ushtria Mbretërore

1 Shtator 1928, Shqipëria shpallet Monarki dhe Ahmet Zogu Mbret i Shqiptarëve.

Me vendosjen e sistemit të ri politik, Forcat e Armatosura u riorganizuan: komandant i Përgjithshëm ishte Mbreti Zog. Me ligjin e ri të organizimit, Forcat e Armatosura të Mbretërisë shqiptare ishin Ushtria Kombëtare dhe Xhandarmëria.
Forcat e Armatosura u ndanë në Forca Tokësore, Forca Detare dhe Forca Ajrore. Forcat Tokësore ishin forcat kryesore dhe përbëheshin nga: Garda Mbretërore, Shkollat Ushtarake, Arma e Këmbësorisë, Arma e Artilerisë, Arma e Xhenios, Roja Mbretërore e Kufirit, Inspektoratet e Mobilizimit, Drejtoritë dhe Zyrat e Rekrutimit, Trupi Shëndetësor, Trupi Veteriner dhe Trupi i Intendentëve. Forcat Detare dhe Ajrore nuk arritën të krijoheshin me kapacitetin e duhur dhe kishin mjete e personel të reduktuar.

Forca Detare përbëhej nga 4 anije dhe 4 motoskafë amerikanë prej druri të tipit "Elco", ndërsa Forca Ajrore përbëhej nga 5 avionë të tipit "Albatros - Fokker".

Mbreti Zog u përpoq të krijonte një ushtri moderne, sipas standardeve perëndimore. Për këtë qëllim u përshtatën në shqip ligje dhe rregullore ushtarake të marra në Austri dhe Itali, si dhe iu kushtua rëndësi shkollimit ushtarak duke hapur edhe shkollat ushtarake.

Një numër i konsiderueshëm studentësh u dërguan në akademitë më të mira ushtarake të Italisë.

Në vitin 1939 Ushtria Mbretërore përbëhej nga 780 oficerë, 1.620 nënoficerë dhe 13.200 ushtarë.