
Koleksione Historike
Princ Vidi
Me ardhjen në Shqipëri, më 17 mars të vitit 1914, Princ Vidi shpalli krijimin e qeverisë me qendër në Durrës. Sipas Statutit Organik të Shqipërisë, që përmbante vendimet kryesore të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, forcat ushtarake të vendit ishin Xhandarmëria dhe Milicia. Organizimi ushtarak, kishte filluar më herët me ardhjen e oficerëve holandezë në nëntor 1913, të drejtuar nga koloneli Tomson, i cili kishte mundur të formonte katër detashmente me nga 300 vetë në Shqipërinë Jugore, por në kohën e Qeverisë së Vidit organizimi ushtarak, mori trajta konkrete.
Organizimi dhe shtrirja e Xhandarmërisë në një kohë të shkurtër në shumë prefektura bëri të mundur që Xhandarmëria të luante një rol të dyfishtë, atë të mbrojtjes dhe të ruajtjes së qetësisë. Nga prilli i vitit 1914, Xhandarmëria u përforcua me kontingjente vullnetare që vinin nga anë të ndryshme të Shqipërisë. Në mbrojtje të Prefekturës së Korçës që kërcënohej nga andartët grekë, u dërgua një batalion prej 300 vetash dhe pas lirimit të Korçës, në Shqipërinë Juglindore u organizua një forcë e vogël ushtarake ku u thirrën dhe u mobilizuan meshkuj të moshës nga 20 në 40 vjeç.
Armatimi i forcave shqiptare përbëhej kryesisht nga pushkët, disa mitraloza dhe bateria e artilerisë malore. Pas largimit të Princ Vidit, si pasojë e fillimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u bë arenë e përballjeve të forcave ndërluftuese dhe nuk mund të flitej për organizim ushtarak. Vetëm në vitin 1916, në Krahinën Autonome të Korçës, u arrit të krijohej një regjiment shqiptar prej 1.000 vetash me oficerë shqiptarë, nën komandën e përgjithshme të një majori francez. Krahas këtyre forcave në atë zonë vepruan dhe çetat e Sali Butkës.