Koleksione Historike
Tradita luftarake – Nga ilirët tek arbërit
Tradita luftarake e shqiptarëve fillon që në periudhat e hershme.
Fiset ilire kishin organizim të strukturuar ushtarak. Sistemi i detyrueshëm përfshinte meshkujt e moshave nga 17 deri në 20 vjeç, ndërsa në rast lufte, ky detyrim përfshinte të gjithë meshkujt e aftë për luftë, deri në moshën 60 vjeç. Përbërja numerike e ushtrisë ilire varionte nga 10.000 luftëtarë në kohë paqeje deri në 40.000 në kohë lufte. Në kryengritjet kundër sundimit romak në vitet 6 - 9 të erës sonë (e.r.) mendohet se u përfshinë rreth 200.000 luftëtarë.
Kalorësia, në formë të organizuar, u krijua në periudhën e mbretit Bardhyl (390 - 350 p.e.s.). Ajo përbëhej nga shtresat më të larta të shoqërisë dhe formohej në disa grupe me nga 100 - 200 kalorës. Gjatë betejës kalorësia vendosej në të dy krahët e Këmbësorisë, për mbrojtjen e saj, apo për ndjekjen e armikut në rast tërheqjeje.
Në Betejën e Pirros kundër romakëve në Herakle të Italisë, përveç kalorësisë, Ilirët përdorën edhe elefantët në fushë - betejë. Pjesë e rëndësishme e fuqisë ushtarake ilire ishte Flota Luftarake Detare, e cila arriti kulmin në periudhën e mbretërimit të Gentit (197 - 168 p.e.s.) me rreth 220 anije.
Armatimi tipik i përdorur prej ilirëve përbëhej nga shpata, heshta, shtiza, përkrenarja, mburoja, parzmorja, kallcitë.
Për sa i takon luftërave të zhvilluara, më të përmendura janë ato kundër Aleksandrit të Madh dhe romakëve.
Pas një periudhe të gjatë sundimi dhe ndryshimesh në Gadishullin Ballkanik, në shekujt XIII - XIV krijohen principatat shqiptare. Më të rëndësishmet ndër to ishin ajo e Topiajve, Balshajve, Muzakajve, Zenebishtëve, Shpatajve etj. Çdo principatë kishte ushtrinë e saj. Ato vepronin si një forcë për të mbrojtur principatën, por edhe për zgjeruar territoret e tyre.