Koleksione Historike
Ushtria Nacionalçlirimtare
Më 7 prill 1939, Ushtria Italiane me 22.000 forca zbarkon në brigjet shqiptare në Sarandë, Vlorë, Durrës dhe Shëngjin. Forca të veçuara ushtarakësh shqiptarë bënë një qëndresë të paorganizuar.
Pas vendosjes së pushtimit fashist, nisën të lindnin e të shfaqeshin formacione luftarake atdhetare. Në harkun kohor 1941 - 1944, në Shqipëri u krijuan tre forca politike, Partia Komuniste, Partia e Legalitetit dhe Balli Kombëtar. Nga të tria këto forca, Partia Komuniste me Lëvizjen Nacionalçlirimtare ishte më e organizuara në luftën kundër pushtuesve nazi - fashist.
Më 10 korrik 1943, në Labinot, u krijua Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare (UNÇ), me komandant Spiro Moisiun dhe komisar politik Enver Hoxhën. Në vijim, u krijuan formacione luftarake me fizionomi të plotë dhe me fuqi vepruese të konsiderueshme, si grupet partizane, brigadat sulmuese, divizionet dhe korparmatat.
Në krijimin e UNÇ ndihmuan edhe misioni anglez përmes furnizimit me armatim, veshmbathje, logjistikë, por edhe duke mbështetur organizimin ushtarak. Në pranverën e vitit 1944, UNÇ ishte rritur dhe numëronte 35.000 partizanë, të rreshtuar në 9 brigada sulmuese. Në Kongresin e Përmetit, më 24 Maj 1944, u mor vendimi për shndërrimin e strukturave ekzistuese në ushtri të rregullt. Kështu, u vendos funksioni i Komandantit të Përgjithshëm, u vendosën gradat dhe u krijuan formacione të mëdha ushtarake. Armatimi i UNÇ përbëhej nga armët vetjake, pushkët kundër-tanke, mortajat e topat, një pjesë e të cilave ishin armë trofe.
Në përfundim të luftës, UNÇ arrin në 70.000 forca, nga të cilët 6.000 ishin partizanë të organizuar në 24 brigada sulmuese, 8 divizione dhe 3 korparmata.
Ushtria Shqiptare gjatë pushtimit nazi-fashist
Pas pushtimit të vendit, më 7 Prill 1939 dhe bashkimit të Shqipërisë me Italinë, pushtuesit morën vendimin për bashkimin e ushtrisë shqiptare me atë italiane. Në pikëpamjen organizative, formacioni kryesor ushtarak shqiptar që krijuan pushtuesit, ishte batalioni. Efektivi i batalioneve lëvizte nga 500 deri në 600 forca.
Në janar të vitit 1943, u mundësua formimi i një njësie ushtarake shqiptare me përmasat e një brigade. Pas kapitullimit të Italisë fashiste, në Shqipëri hynë pushtuesit nazistë. Në kuadrin e rikrijimit të Ushtrisë Shqiptare, në shtator të vitit 1943, u formua Komanda e Përgjithshme e Mbrojtjes me në krye gjeneral divizioni Preng Pervizi. Kjo komandë parashikonte formimin e katër batalioneve në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Korçë, të cilat do të ishin “trupi themelor i ushtrisë shqiptare”.
Strukturat ushtarake që u ngritën në Shqipëri gjatë kësaj periudhe nuk ishin të pavarura, por kontrolloheshin nga Komanda e Lartë gjermane. Në nëntor 1944, Ushtria Shqiptare u shpërnda përfundimisht, ndërsa vendi po shkonte drejt çlirimit të plotë prej Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Në këtë pjesë të pavijonit të parë gjenden objekte të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, të cilat janë armë të ndryshme trofe të tilla si pistoleta, pushkë, automatikë, mitralozë. Te këto objekte veçojmë automatikun gjerman mp - 40, dhe mitralozin mg – 42, si objekte angleze që janë hedhuar nga avoni si ndihmë për Ushtrinë Nacionalçlirimtare.