
Koleksione Historike
Ushtria Nacionalçlirimtare
Më 7 prill 1939, Ushtria Italiane me 22.000 forca zbarkon në brigjet shqiptare në Sarandë, Vlorë, Durrës dhe Shëngjin. Forca të veçuara ushtarakësh shqiptarë bënë një qëndresë të paorganizuar.
Pas vendosjes së pushtimit fashist, nisën të lindnin e të shfaqeshin formacione luftarake atdhetare. Në harkun kohor 1941 - 1944, në Shqipëri u krijuan tre forca politike, Partia Komuniste, Partia e Legalitetit dhe Balli Kombëtar. Nga të tria këto forca, Partia Komuniste me Lëvizjen Nacionalçlirimtare ishte më e organizuara në luftën kundër pushtuesve nazi - fashist.
Më 10 korrik 1943, në Labinot, u krijua Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare (UNÇ), me komandant Spiro Moisiun dhe komisar politik Enver Hoxhën. Në vijim, u krijuan formacione luftarake me fizionomi të plotë dhe me fuqi vepruese të konsiderueshme, si grupet partizane, brigadat sulmuese, divizionet dhe korparmatat.
Në krijimin e UNÇ ndihmuan edhe misioni anglez përmes furnizimit me armatim, veshmbathje, logjistikë, por edhe duke mbështetur organizimin ushtarak. Në pranverën e vitit 1944, UNÇ ishte rritur dhe numëronte 35.000 partizanë, të rreshtuar në 9 brigada sulmuese. Në Kongresin e Përmetit, më 24 Maj 1944, u mor vendimi për shndërrimin e strukturave ekzistuese në ushtri të rregullt. Kështu, u vendos funksioni i Komandantit të Përgjithshëm, u vendosën gradat dhe u krijuan formacione të mëdha ushtarake. Armatimi i UNÇ përbëhej nga armët vetjake, pushkët kundër-tanke, mortajat e topat, një pjesë e të cilave ishin armë trofe.
Në përfundim të luftës, UNÇ arrin në 70.000 forca, nga të cilët 6.000 ishin partizanë të organizuar në 24 brigada sulmuese, 8 divizione dhe 3 korparmata.