Pavijone
Objekte nga Arma e Xhenios, Ndërlidhja, Shëndetsia etj
Në pavijonin e tretë janë ekspozuar objekte që i përkasin armës së xhenios, shërbimit të kimisë, ndërlidhjes , shëndetësisë, objekte optike, manuale dhe rregullore ushtarake të Ushtrisë Popullore.
Bunkerizimi
Dalja nga Traktati i Varshavës në vitin 1968 dhe vetëizolimi i mëtejshëm i vendit, shtoi ankthin e diktatorit për një sulm imagjinar të armiqve ndaj Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. I mbërthyer nga paranoja, Enver Hoxha, në vitin 1971, në Plenumin e 12-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, mori nismën për fortifikimin e vijave të mbrojtjes, projekt i cili u zbatua me intensitet prej vitit 1975 dhe zgjati deri në mesin e viteve ’80. Deri në vitin 1983 ishin ndërtuar 173.371 bunkerë të tipave të ndryshëm, nga 221.143 të planifikuar, me një ritëm ndërtimi mesatar rreth 22.000 njësi në vit.
Programi i Hoxhës për “bunkerizimin” e territorit rezultoi në ndërtimin e bunkerëve në çdo cep të Shqipërisë, duke filluar nga zonat e thella malore e deri në hapësirat e brendshme të qyteteve. Shumë prej këtyre strukturave, të derdhura në beton, vijojnë të jenë të pranishme kudo, duke u bërë pjesë e pandarë e peizazhit të trashëguar nga e kaluara komuniste e Shqipërisë.
Bunkerët, të planifikuar për t'u përballur me sulmet ushtarake të shekullit të njëzetë, janë struktura të jashtëzakonshme për nga tiparet inxhinierike dhe ndërtimore. Ata nuk u përdorën kurrë për qëllimin për të cilin u ndërtuan. Kostoja e realizimit të projektit për fortifikimin e vijave të mbrojtjes rëndoi më tej situatën e financave të shtetit, i cili ishte dukshëm në vështirësi ekonomike.
Traktati i Varshavës
Traktati i Varshavës u nënshkrua më 14 maj 1955, nga qeveritë e tetë vendeve komuniste të Evropës Lindore e Qendrore, midis të cilave edhe Shqipëria.
Ai hyri me emërtimin standard: “Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës Reciproke”, por në fakt ishte një pakt i mirëfilltë politiko - ushtarak. Shtetet anëtare krijuan një Komandë të Bashkuar të Forcave të Armatosura me qëllim mbrojtjen e kufijve të territoreve të tyre nga çdo agresion i mundshëm.
Në dhjetor 1956, Hrushovi i propozoi Hoxhës krijimin e një baze ushtarake në Vlorë. Propozimi u pranua dhe baza ushtarake detare e Vlorës u bë e vetmja bazë e bllokut komunist në Mesdhe. Atje u ankoruan 12 nëndetëse, 2 baza lundruese, 12 anije të vogla, 24 anije ndihmëse dhe një sasi e madhe armatimesh. Sipas udhëheqjes shqiptare, Baza e Vlorës do të thoshte, ndër të tjera, se do të mbahej në kontroll Flota VI amerikane në Mesdhe dhe se një sulm i forcave të NATO kundër Republikës Popullore të Shqipërisë do të bëhej i pamundur nga deti.
Në vitet 1956-1960 Shqipëria u mbështet nga Bashkimi Sovjetik me armatim dhe teknikë ushtarake, si dhe me asistencë në përdorimin e tyre. Për të krijuar një personel ushtarak të kualifikuar, shumë të rinj nga Shqipëria u dërguan për studim në shkollat ushtarake të Bashkimin Sovjetik.
Pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik, më 13 shtator 1968 Shqipëria shpalli ligjin për daljen nga Traktati i Varshavës.