Pavijone

Bunkerizimi

Dalja nga Traktati i Varshavës në vitin 1968 dhe vetëizolimi i mëtejshëm i vendit, shtoi ankthin e diktatorit për një sulm imagjinar të armiqve ndaj Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. I mbërthyer nga paranoja, Enver Hoxha, në vitin 1971, në Plenumin e 12-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, mori nismën për fortifikimin e vijave të mbrojtjes, projekt i cili u zbatua me intensitet prej vitit 1975 dhe zgjati deri në mesin e viteve ’80. Deri në vitin 1983 ishin ndërtuar 173.371 bunkerë të tipave të ndryshëm, nga 221.143 të planifikuar, me një ritëm ndërtimi mesatar rreth 22.000 njësi në vit.



Programi i Hoxhës për “bunkerizimin” e territorit rezultoi në ndërtimin e bunkerëve në çdo cep të Shqipërisë, duke filluar nga zonat e thella malore e deri në hapësirat e brendshme të qyteteve. Shumë prej këtyre strukturave, të derdhura në beton, vijojnë të jenë të pranishme kudo, duke u bërë pjesë e pandarë e peizazhit të trashëguar nga e kaluara komuniste e Shqipërisë.

Bunkerët, të planifikuar për t'u përballur me sulmet ushtarake të shekullit të njëzetë, janë struktura të jashtëzakonshme për nga tiparet inxhinierike dhe ndërtimore. Ata nuk u përdorën kurrë për qëllimin për të cilin u ndërtuan. Kostoja e realizimit të projektit për fortifikimin e vijave të mbrojtjes  rëndoi më tej situatën e financave të shtetit, i cili ishte dukshëm në vështirësi ekonomike.