Pavijone

Traktati i Varshavës

Traktati i Varshavës u nënshkrua më 14 maj 1955, nga qeveritë e tetë vendeve komuniste të Evropës Lindore e Qendrore, midis të cilave edhe Shqipëria.
Ai hyri me emërtimin standard: “Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës Reciproke”, por në fakt ishte një pakt i mirëfilltë politiko - ushtarak. Shtetet anëtare krijuan një Komandë të Bashkuar të Forcave të Armatosura me qëllim mbrojtjen e  kufijve të territoreve të tyre nga çdo agresion i mundshëm.

Në dhjetor 1956, Hrushovi i propozoi Hoxhës krijimin e një baze ushtarake në Vlorë. Propozimi u pranua dhe baza ushtarake detare e Vlorës u bë e vetmja bazë e bllokut komunist në Mesdhe. Atje u ankoruan 12 nëndetëse, 2 baza lundruese, 12 anije të vogla, 24 anije ndihmëse dhe një sasi e madhe armatimesh. Sipas udhëheqjes shqiptare, Baza e Vlorës do të thoshte, ndër të tjera, se do të mbahej në kontroll Flota VI amerikane në Mesdhe dhe se një sulm i forcave të NATO kundër Republikës Popullore të Shqipërisë do të bëhej i pamundur nga deti. 

Në vitet 1956-1960 Shqipëria u mbështet nga Bashkimi Sovjetik me armatim dhe teknikë ushtarake, si dhe me asistencë në përdorimin e tyre. Për të krijuar një personel ushtarak të kualifikuar, shumë të rinj nga Shqipëria u dërguan për studim në shkollat ushtarake të Bashkimin Sovjetik.

Pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik, më 13 shtator 1968 Shqipëria shpalli ligjin për daljen nga Traktati i Varshavës.