
Koleksione Historike
Pavarësia
Më 28 Nëntor 1912, 469 vjet pas ngritjes së flamurit të Kastriotëve në Krujë, në një nëntor të dytë u ngrit Flamuri i Pavarësisë në Vlorë. Me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, u krijua shteti i parë i pavarur shqiptar.
Krahas institucioneve të tjera, më 4 Dhjetor 1912, vetëm gjashtë ditë pas Shpalljes së Pavarësisë, u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, me ministër, gjeneral brigade Mehmet Pashë Deralla.
Më 4 Maj 1913, Qeveria e Përkohshme e Vlorës miratoi formimin e Shtabit Madhor, një organizëm i mirëfilltë ushtarak i drejtuar nga major Ali Shefqet Shkupi.
Në gjysmën e dytë të vitit 1913, Shtabi Madhor, sipas planit të miratuar nga Ministria e Luftës, organizoi një ushtri me tiparet e një ushtrie të rregullt. Për herë të parë në shtetin shqiptar u zbatua ligji ushtarak i rekrutimit, në të cilin theksohej se “Detyrimin ushtarak do ta kryente çdo mashkull i aftë fizikisht, nga mosha 20 deri në 40 vjeç". Pjesë e rëndësishme e organizimit ushtarak, ishin Forcat Vullnetare Popullore. Ato ishin armatosur dhe ngritur vetë, në mbështetje dhe në mbrojtje të qeverisë dhe të shtetit të pavarur shqiptar.
Risi ishte edhe organizimi i Forcave Rezerviste dhe i Forcave Aktive.
Qeveria e Vlorës filloi të merrte masa edhe për uniformat dhe armatosjen e ushtrisë, duke porositur në Itali veshjet dhe në Austri armë të rënda si mitralozë, topa dhe municione. Në vazhdim, u ngritën shërbimi i prapavijës, i mobilizimit dhe zbulimi informativ. Në total numri i përgjithshëm i ushtrisë arriti deri në 12.000 forca.
Në këtë pjesë të muzeut që ka të bëjë me Lidhjen e Prizrenit dhe Pavarësinë janë ekspozuar modelet e para të pushkëve me shul, revolverët, ku do të veçonim revolverin austriak gasser, modelin e të cilit e ka përdorur dhe Isa Boletini.