Pavijone

NATO

NATO (Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut) është aleancë politike - ushtarake e themeluar në Uashington, më 4 Prill 1949, nga 12 shtete. Qëllimi i NATO është të garantojë lirinë dhe sigurinë e anëtarëve të saj nëpërmjet mjeteve politike dhe ushtarake. Ajo promovon vlerat demokratike dhe u mundëson anëtarëve të konsultohen dhe të bashkëpunojnë në çështjet e Mbrojtjes dhe Sigurisë që të zgjidhin problemet, të krijojnë besim dhe për një afat të gjatë të parandalojnë konfliktet.

NATO është e angazhuar për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe nëse përpjekjet diplomatike dështojnë, ajo ka fuqinë ushtarake për të ndërmarrë operacione për menaxhimin e krizave.

Sot, NATO ka në përbërjen e vet 31 shtete anëtare. Që nga anëtarësimi zyrtar i Shqipërisë në NATO, më 1 Prill 2009, ka nisur të zbatohet Plani i Integrimit, që nënkupton reformimin e thellë të sektorit të Sigurisë e Mbrojtjes, me qëllim ndërveprimin e plotë me NATO.

 

Ndryshimi më i madh në Reformën e Mbrojtjes të një vendi të ri anëtar të NATO konsiston në adoptimin e një procesi kompleks të transformimit tё Forcave të Armatosura, nga një forcë e bazuar nё konceptin e mbrojtjes individuale, nё njё forcё tё bazuar mbi mbrojtjen kolektive.

Shqipëria është integruar plotësisht në Sistemin e Planifikimit tё Mbrojtjes Kolektive, duke përfituar konkretisht nga atributet e saj, por, edhe duke marrë përsipër pjesën e vet të kontributit kombëtar me forca ushtarake, personel, buxhet dhe burime të tjera.

Pavijoni i katër ose ndryshe pavijoni i NATOs ka të ekspozuar armë dhe objekte të teknologjisë së fundit, që përdoren edhe nga ushtritë anëtare të NATO. Foto nga ceremonia e anëtarësimit në NATO të Shqipërisë, të samiteve apo aktiviteteve të zhvilluara si dhe uniforma të ndryshme ushtarake që përdor ushtria sot. Pavijoni ka dhe një instalacion me municione të kalibrave të ndryshëm si dhe tekstin për çmilitarizimin.