Pavijone

Çmilitarizimi

Vështirë të gjesh një vend tjetër në rajon, ndoshta edhe në botë, që të ketë pasur në inventarin e tij një sasi kaq të madhe municionesh luftarake në raport me popullsinë dhe sipërfaqen e territorit.

Paranoja e sistemit totalitar për t’u armatosur “deri në dhëmbë” për t’iu bërë ballë agresorëve, ishte ekstreme. Mijëra ton municione luftarake, të ruajtura për një luftë imagjinare që nuk ndodhi kurrë, jo vetëm që nuk u përdorën, por u shndërruan në rrezik për banorët.

 
Sipas statistikave zyrtare, në vitin 1992, Forcat e Armatosura administronin rreth 194.000 ton municione luftarake, të shpërndara në 182 rajone të vendit e të depozituara në 955 magazina dhe tunele.

Fillimi i reformave në vitin 1992 dhe procesi i vazhdueshëm i ristrukturimit të Forcave të Armatosura si edhe përshtatja me standardet e NATO, solli reduktimin e shumë njësive ushtarake dhe depove të municioneve.

Për vlerësimin e gjendjes dhe përcaktimin e rrugëve për eliminimin e municioneve të tepërta, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, morën një sërë hapash gjatë viteve 2007 - 2008. Pas një studimi të detajuar për gjendjen e municioneve, metodat dhe prioritetet e asgjësimit, u përgatit Plani i Veprimit për Asgjësimin e Municioneve. Zbatimi në terren i këtij plani ka qenë vazhdimisht nën asistencën e partnerëve tanë të NATO dhe veçanërisht të SHBA dhe OSBE.