
Pavijone
Forca Ajrore
Përpjekjet për krijimin e Armës së Aviacionit janë të hershme. Hapi i parë për të krijuar një Aviacion Ushtarak në Shqipëri, u hodh në vitin 1914, kur qeveria shqiptare porositi blerjen e tre avionëve Lohner Daimler nga Austria për të formuar Korpusin Ajror Shqiptar, por si rezultat i Luftës së Parë Botërore, urdhri u anulua.
Aviacioni Luftarak Shqiptar u krijua pas Luftës së Dytë Botërore, më 24 prill të vitit 1951. Grupimi i parë i avionëve luftarakë është bërë në Tiranë, në vitin 1951, me avionë PO-2 dhe JAK-18, ndërsa Aviacioni Reaktiv u krijua në vitin 1955 në Kuçovë dhe përbëhej nga avionë MIG-15. Në vazhdim u krijuan Reparti i Transportit Ushtarak, Regjimenti i Aviacionit në Rinas, Regjimenti i Helikopterëve dhe Regjimenti i Gjadrit.
Në vitet 1970 Aviacioni Luftarak kishte mbi 70 avionë MIG-19, 12 avionë MIG-21 dhe një skuadrilje luftarake me MIG-17. Avionë të tjerë luftarakë-mësimorë të tipit MIG-15, IL-14 dhe IL-28 shërbenin kryesisht për transport qeveritar si dhe për studime ushtarake e gjeografike.
Në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë, veç avionëve reaktivë MIG-15, kishte dhe dy skuadrilje me avionë me helikë JAK-18, të cilët shërbenin për përgatitjen e pilotëve.
Në vitet 1970 - 1980 niveli i programimit të fluturimeve ishte intensiv dhe përgatitja e pilotëve kryhej me standarde e kërkesa të larta.
Pas viteve 2000, Forcat Ajrore u pajisën me mjete ajrore bashkëkohore.
Pavioni i pestë ka objekte të detarisë dhe aviacionit. Ky pavijon është i ndarë në tre seksione, ku në seksionin e parë janë ekspozuar objekte muzeore të aviacionit si kabina e pilotit të avionit Mig - 21, një avion shenje që përdorej për qitje.
Në seksionin e dytë janë ekspozuar objekte të detarisë, ku vizitori ka mundësinë të shoh modelin e vjetër të veshjes së polumbarit.
Në seksionin e tretë është vendosur një hartë e madhe reliev e trojeve shqiptare, e cila është e përgatitur e gjitha me dorë në vitet ’80 nga Instituti i Gjeografisë Ushtarake.
Përballë vizitorit qëndron koka e avionit Yak - 18 dhe i rrethuar nga ngjyra blu do të ketë ndjesinë e fluturimit mbi hapësirën shqiptare.