Pavijone

Forca Detare

Tradita detare e popullit shqiptar është e lashtë. Ajo fillon me ilirët, të cilët  në shekujt V - II p.e.s., krijuan flotën më të fuqishme detare në Adriatik. Anija e famshme ilire “Liburnia”, ishte e vogël, e shpejtë dhe e manovrueshme për qëllime luftarake.

Pas sundimit romak dhe atij bizantin, në shekullin e XIV të e.s, principatat e Balshajve dhe Topiajve krijuan fuqitë e tyre detare, por Pushtimi Osman në shekullin XV, e dobësoi traditën detare.

Me Shpalljen e Pavarësisë, në 28 Nëntor 1912, u bënë përpjekjet e para për organizimin e Marinës Ushtarake nga qeveria e Ismail Qemalit, por fillimi i Luftës së Parë Botërore e ndërpreu angazhimin e qeverisë.

Në vitin 1925, Parlamenti Shqiptar miratoi buxhetin për blerjen e dy anijeve në  Itali. Këto anije erdhën nё Durrёs, më 25 dhjetor 1925, ato u emërtuan “Shqypnia” dhe “Skanderbeg”. Kjo datë shënon krijimin e Forcave Detare shqiptare. Në vitin 1934, u blenë në Itali edhe 4 motovedeta të tjera “Vlora”, “Durrësi”, “Saranda” dhe “Tirana”.

Në vitet 1945 - 1990, me mbështetjen e Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, Shqipëria krijoi  Flotën Luftarake Detare. Në arsenalin e saj, Flota numëronte rreth 90 anije si: nëndetëse, katërsilurues, dragamina, gjuajtës detarë, rimorkiatorë, anije polombare, cisterna uji, anije patrulluese etj.

Pas viteve 1990, Forca Detare ashtu si e gjithë ushtria shqiptare, kaloi në fazën e transformimeve. Sot, në përbërjen e saj ka anije të Rojës Bregdetare si: “Iliria”, “Oriku”, “Butrinti” dhe “Lissus”.