Koleksione Historike
Gjergj Kastrioti Skënderbeu
Gjergj Kastrioti Skënderbeu lindi në 1405 dhe vdiq më 17 janar 1468.
Më 28 Nëntor 1443 zotëroi Krujën.
Hapi i parë që hodhi ishte bashkimi princërve shqiptarë në luftë kundër Perandorisë Osmane: në Kuvendin e Lezhës mbajtur më 2 Mars 1444, u ra dakord për formimin e një ushtrie të përbashkët, komandanti i Përgjithshëm i së cilës u zgjodh Skënderbeu.
Gjergj Kastrioti krijoi një ushtri prej 15.000 luftëtarësh që përbëhej nga Kalorësia, Këmbësoria dhe Artileria. 3.000 ushtarët më të përgatitur dhe më besnikë përbënin Gardën Pretoriane. Sipas gojëdhënave, mësohet se Skënderbeu ngriti punishte të përpunimit të armëve në Lurë dhe Bulqizë. Armët kryesore që përdorte ushtria e tij ishin: shpata, shtiza, shigjeta, harqe, mburoja, përkrenare, topa të mëdhenj e të vegjël dhe dyfekë. Gjithashtu, në luftime përdorte edhe katapulta, gurëhedhës, hunj me majë të mprehtë, rrëshirën e nxehtë, kazanë me gëlqere të valuar, kova me serë dhe vaj, shkarpa të ndezura.
Përgjatë një periudhe 25 - vjeçare, Skënderbeu zhvilloi 25 beteja. Falë gjenialitetit të tij, Shqipëria u kthye në një kala të pamposhtur. Sulltan Murati I dhe më pas i biri, Sulltan Mehmeti II i njohur ndryshe si “Pushtuesi”, u larguan të turpëruar nga trojet arbërore, pasi nuk arritën të pushtonin kalanë e Krujës. E gjithë Evropa e Krishterë i falej zotësisë së Kryezotit të Arbërit sepse, falë tij, turqit nuk e kaluan dot Adriatikun. Papa Nikolla V i dha titullin “Kampion i Krishtërimit”, të cilin më vonë e konfirmuan edhe pasuesit e tij si Kalisti III e Piu II. Fushatat e Skënderbeut, erdhën në një kohë kritike për Evropën dhe ia prenë hovin hordhive turke.