Koleksione Historike
Taktikat luftarake të Skënderbeut
Sipas Marin Barletit, variantet taktike që përdorte Skënderbeu për të shpartalluar ushtritë armike ishin të larmishme dhe mbështeteshin në bashkërendimin e mbrojtjes me sulmin, duke futur në përdorim si Këmbësorinë ashtu edhe Kalorësinë e armatosur lehtë.
Kalorësia ishte arma kryesore e Ushtrisë së Gjergj Kastriotit. Ajo përbëhej nga formacione të lehta e të thjeshta, të pangarkuara me armatime të rënda, e aftë për të përshkruar largësi të mëdha brenda një kohe të shkurtër dhe për të dhënë goditje të befasishme e të fuqishme. Kalorësia do të luante një rol të rëndësishëm në shkatërrimin e hordhive osmane. Sukseset e kësaj kalorësie, epërsia kryesore e të cilës qëndronte në aftësinë për manovër të shpejtë, të gjerë e të thellë në fushën e betejës, patën ndikimin e vet në fushën e artit ushtarak dhe u bënë një ndër faktorët kryesorë për përhapjen e shpejtë që mori përdorimi i Kavalerisë së Lehtë, në fushat e betejave evropiane të shekujve XV - XVI.
Skënderbeu, i kushtoi vëmendje edhe prerjes së rrugëve të furnizimit të ushtrisë armike, duke sulmuar karvanët e furnizimit të saj më ushqime e sende të tjera të nevojshme. Ai i kushtoi kujdes edhe organizimit të zbulimit për sigurimin e të dhënave më karakter strategjik, operativ e taktik që kishin të bënin me kohën e ardhjes së ushtrive armike, madhësinë, organizimin, lëvizjen, veprimet luftarake të tyre etj.